Arrestohen dy persona në Mitrovicë për trafik narkotikësh, sekuestrohen kokainë, armë dhe para

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit me inicialet Q.H. dhe R.H. janë arrestuar nën dyshimin se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Gjatë realizimit të urdhër-kontrolleve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, armë si dhe para të gatshme, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.







