Arrestohen dy persona për grabitje në Mitrovicë, një nga të dyshuarit një e mitur
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar në lidhje me një rast grabitjeje që ndodhi më 26 nëntor 2024, në lagjen “Mulliri i Vjetër” në Mitrovicën Jugore, shkruan Mitropol.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15, kur viktima ka raportuar se i ishin grabitur një sasi e të hollave dhe një orë dore me vlerë të konsiderueshme.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga ana e hetuesve të Sektorit Rajonal të Hetimeve DRP Mitrovicë Jug, me datë 03.12.2024, kanë arritur që ti identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar të përfshirë në rastin e grabitjes.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të policisë, në mëngjesin e datës 3 dhjetor 2024, është arrestuar e dyshuara e parë, e moshës së mitur, e cila është intervistuar dhe më pas është liruar me vendim të prokurorit, duke e vazhduar procedurën në mënyrë të rregullt.
Në pasdite, është arrestuar dhe i dyshuari i dytë, F.H., një 23-vjeçar nga Kosova. Pas intervistimit, atij iu është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.