Një incident i dhunshëm ka ndodhur dy ditë më parë në orët e paradites në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Vushtrri, ku katër persona janë përfshirë në një përleshje fizike pas një mosmarrëveshjeje. Situata ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit nga njëri prej të dyshuarve, njofton “Mitropol”.
Sipas Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja plumbash dhe një shkop bejsbolli, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes. Një pistoletë, që besohet të jetë arma e përdorur, është konfiskuar nga njëri prej të dyshuarve gjatë procedurave policore.
Pas hetimeve të mëtejshme të zhvilluara më 18.12.2024, Policia ka lokalizuar dhe arrestuar edhe një të dyshuar tjetër, një mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në rast. Nga ky i dyshuar është sekuestruar një pistoletë me gas, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë incidentit.
Nga katër persona të dyshuar fillimisht numri është ngritur në pesë dhe që të gjithë janë shoqëruar për intervistim në stacionin policor. Me vendim të Prokurorisë, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt deri në përfundim të hetimeve.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësinë ligjore të personave të përfshirë.