
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara nga njësitet policore, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit, më 27 nëntor 2025 në Stacionin Policor në Vushtrri ishte raportuar një rast ku i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të ankuesit, ndërsa si pasojë e të shtënave ishte lënduar edhe një anëtare e familjes së ankuesit, e mitur.
Njësitet policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit ishin gjetur dy gëzhoja. Po ashtu, në vendbanimin e të dyshuarit ishte gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë, e dyshuar se ishte përdorur në rast, si dhe 14 fishekë. Rasti ishte iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Pas hetimeve të vazhdueshme, sot më 19 dhjetor 2025, hetuesit policorë të Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, 58-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.








