
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gracë të Vushtrrisë, njofton “Mitropol”.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur më 15 shkurt 2025, rreth orës 20:00, kur pas raportimeve për të shtëna, njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar të dyshuarin, një mashkull kosovar.
Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gas dhe pesë gëzhoja, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Policia e Kosovës bën thirrje për respektim të ligjit dhe kujdes të shtuar ndaj përdorimit të armëve, duke rikujtuar se armëmbajtja pa leje është vepër penale e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.