Aurora Group
02LAJME

Auditori gjen shkelje në tri konkurse për mësimdhënës në institucione arsimore të Vushtrrisë

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Vushtrrisë për vitin 2023, në tri raste janë evidentuar shkelje në procedurat e rekrutimit për nëpunësit publik.

ZKA-ja thekson se për pozitën “Edukatore për parashkollor”, testi me shkrim nuk ishte nënshkruar nga kandidatja fituese.

Premium Store

Gjithashtu sipas gjetjeve të Auditorit, përgjigjet e pyetjeve teorike në testin me shkrim të kandidates ishin identike me përgjigjet në shabllonin e testit me shkrim që kishte përgatitur komisioni për pranim.

Kjo lë të kuptoj që përgjigjet e testit me shkrim të jenë kopjuar, thotë raporti i ZKA-së.

Rasti tjetër i evidentuar për shkelje është për pozitën e punës “Mësimdhënës për lëndën e tekstilit”. Në këtë konkurs, ZKA thotë se është kërkuar që kandidati/ja të ketë kualifikimin Master i tekstilit, Inxhinier i diplomuar i tekstilit- drejtimi i konfeksionit, përderisa kandidatja e punësuar kishte kualifikimin bachelor i arteve në dizajn të modës.

Dhe rasti i tretë është për pozitën e punës për “Mësuese klase”, ku siç shpjegon ZKA, me konkurs ishte përcaktuar që kohëzgjatja e kontratës të jetë me kohë të caktuar, derisa në kontratën e punës nuk është përcaktuar kohëzgjatja apo data se kur do të përfundojë afati i kontratës.

Raporti i Auditorit thotë se kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të dobëta dhe mosrespektimit të procedurave dhe kritereve të konkursit nga anëtarët e komisonit dhe zyrtarëve përgjegjës gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit dhe nënshkrimit të kontratës së punës.

“Mospërcaktimi i saktë i kohëzgjatjes së kontratës së punës, përveç që është në kudërshtim me kërkesat ligjore, gjithashtu shkakton paqartësi si te e punësuara, e poashtu edhe në aspektin e planifikimit organizativ dhe buxhetor”- thuhet në raport.

Për këtë Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka bërë thirrje kryetarit të kësaj komune që të përmirësojë kontrollet e brendshme në organizimin e testit me shkrim dhe se në kontratat me afat të caktuar, të përcaktohet sakt afati kohor i angazhimit.

Active