Avokati i Llunes: Kemi kërkuar lirimin me 30 mijë euro dorëzani, besojmë se gjykata do të marrë vendim pozitiv

Një nga organizatorët e sulmeve në veri, Milun Milenkovic, i njohur si ‘Llune’, ka dal sot para trupit gjykues në Prishtinë. Njësia Speciale e Kosovës kishte arrestuar atë me 13 qershor të vitit të kaluar.
Ai njihet si një nga organizatorët kryesor të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it gjatë trazirave të fundit në Veri.
Sipas ministrit Xhelal Sveçla, “Llune” ishte një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në Veri.
Avokati Predrag Miljkoviq, mbrojtësi i terroristit Milun Milenkoviç të njohur si “Llune”, pas seancës së anuluar paraprake deklaroi se ka shfrytëzuar rastin për të ofruar dorëzani në shumën prej 30 mijë eurosh dhe se beson se gjykata do të marrë vendim pozitiv për lirimin e Llunes, transmeton “Mitropol”.
“Shfrytëzuam rastin për të ofruar dorëzani, pra kombinim i dy masave, dorëzani dhe arrest shtëpiak në shumën prej 30 mijë euro. Shpresoj se kjo do ta bindë gjykatën dhe prokurorinë se Milun Milenkoviq nuk do të ikë dhe se do të jetë i pranishëm gjatë gjithë procedurës”, tha ai.
Miljkovic deklaroi se beson se Milun Milenkoviç është i gatshëm të përballet me të gjitha provat dhe se nuk ka arsye për të ikur.
“Ne presim vendimin e gjykatës, do të shohim. Shuma sigurisht që nuk është pak, për 30.000 euro nuk besoj se dikush do të rrezikonte. Llune është njeri me të hyra mesatare dhe fakti që ai është në arrest shtëpiak dhe që ka atë shkallë të lirimit me kusht sigurisht që së paku do t’i bindë ata se ai do të jetë në Mitrovicë dhe se do të vijë në gjyqe”, shtoi ai.
Avokati i Milenkoviqit beson se gjykata do të marrë një vendim pozitiv për klientin e tij./Mitropol/







