
Bajgora ishte destinacioni i cili ka bashkuar sërish rreth një sofre ushtarët dhe invalidët nga Beteja e Koshares, shkruan “Mitropol”.
Ishte Rafet Ibishi, kryetari i Shoqatës së Veteranëve, nikoqiri që kishte pritur mysafirët ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare gjatë vitit të kaluar.
Deputeti vushtrrias Nasuf Bejta, ish-kandidat për president ishte vitin e kaluar në mesin e ushtarëve të Koshares, e i cili ka shpërndarë sërish foto nga ky takim i vitit të kaluar.
Postimi plotë:
Sot bëhen 24 vite kur u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.
Kjo në historinë e Kosovës njihet si Beteja e Kosharës, betejë kjo që ndryshoi tërë rrjedhën e luftës për çlirimin e Kosovës.
Lavdi të gjithë të rënëve në këtë betejë dhe në betejat e tjera për lirinë e vendit.
Kam pasur nderin që me shumë pjesëmarrës të mbijetuar të kësaj beteje të takohem e t’i njoh për së afërmi, e të njihem në hollësi rreth kësaj beteje historike.
Lavdi të rënëve në këtë betejë!
Gjithmonë në kujtesën tonë.







