Bashkim Kurti nga KRU Mitrovica prezanton praktikat e suksesshme në Konferencën Ballkanike të Ujësjellësve në Durrës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka përfaqësuar me dinjitet Kosovën në Konferencën e 13-të Ballkanike të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve, e cila u mbajt nga 11 deri më 13 nëntor në qytetin bregdetar të Durrësit.
Kryeshefi i KRU “Mitrovica”, z. Bashkim Kurti, mori pjesë në këtë ngjarje rajonale me rëndësi të veçantë, ku prezantoi temën: “Roli i Kryeshefit në avancimin e kompanive të ujit – Rast studimi KRU Mitrovica.”
Në prezantimin e tij, z. Kurti theksoi rëndësinë që ka udhëheqja efektive, menaxhimi strategjik dhe zbatimi i praktikave moderne për përmirësimin e performancës dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve publike të ujësjellësve. Ai solli përvojën konkrete të KRU Mitrovica si një shembull pozitiv të zhvillimit të vazhdueshëm, reformave organizative dhe investimeve që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Ky prezantim u vlerësua si një kontribut i çmuar në shkëmbimin e përvojave mes kompanive të rajonit, duke dëshmuar se KRU “Mitrovica” është tashmë një ndër ndërmarrjet më të angazhuara në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në përafrimin me standardet bashkëkohore të menaxhimit të ujit.
Pjesëmarrja e Bashkim Kurtit në këtë konferencë jo vetëm që e afirmon rolin e tij si lider vizionar, por edhe e pozicionon KRU “Mitrovica” si një faktor të rëndësishëm në rrjetin ballkanik të ujësjellësve.








