BE-ja pishmanli: Thotë se tash pret konsultime mes Qeverisë dhe komunave për hapjen e Urës së Ibrit

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper, tha në një konferencë për media sot se Bashkimi Europian, për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë kërkon “koordinim efektiv” dhe “konsultime kuptimlota” ndërmjet komunave përkatëse si dhe nivelit qendror të institucioneve, të cilat tha se duhet të “përmirësohen”.
Hipper tha se ura duhet “të lidhë”.
“Ne e kemi pasur qëndrimin tonë për urën, i cili ka qenë gjithmonë shumë i qartë: ura duhet t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Ajo duhet të lidhë. Ajo që kërkojmë është të ketë një koordinim efektiv dhe gjithashtu konsultime kuptimplota ndërmjet komunave përkatëse, si dhe në nivelin qendror të institucioneve që duhet të përmirësohen”, tha ajo.
Zëdhënësja e KE-së tha se kërkojnë gjithashtu që Policia e Kosovës të garantojë siguri dhe mbrojtje” për të gjitha komunitetet.
“Dhe ajo që kërkojmë gjithashtu është që Policia e Kosovës të garantojë siguri dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me të drejtat demokratike të njeriut dhe parimet e sundimit të ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, tha ajo.
Asaj iu kërkua të deklarohej qartë nëse BE-ja konfirmon se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës, ndërsa tha se presin
“Pra, siç e thatë me të drejtë, ura tashmë është e hapur për këmbësorët, por ende jo për të gjithë. Ne kemi bërë vlerësimet tona lidhur me këtë dhe qëndrimi ynë mbetet i njëjtë. Nevojitet që të ketë ende koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat i presim dhe të cilat duhet të përmirësohen”, tha ajo.
Bashkimi Europian para pak ditësh konfirmoi për Gazetën Express se janë përmbushur kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.
KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, konfirmoi më 10 gusht se ka nisur një “tranzicionin gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër, duke konfirmuar kështu edhe raportimet se Policia e Kosovës atë dite ishte parë të qëndronte në urë. Një zëdhënës i BE-së i tha Expressit se ishin të informuar nga NATO.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, thuhej në përgjigjen dërguar Gazetës Express.
KFOR-i ka thënë se ky proces do të jetë “gradual” dhe se për këtë “po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Shefi i Mbrojtjes i Serbisë, gjenerali Mojsilovic, është informuar rregullisht gjithashtu. Gjeneralmajor Ulutas, Komandanti i misionit të KFOR-it, mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në Institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it për Express më 10 gusht.
Misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se trupat e KFOR-it janë të pozicionuar mirë “për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant”.








