
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përfunduar një vizitë dyditore në Washington D.C., të cilën e vlerësoi si jetike për paraqitjen e vizionit të tij mbi zhvillimin e Kosovës dhe rindërtimin e partneritetit të thelluar me administratën amerikane, shkruan Mitropol.
Hamza zhvilloi takime në nivelet më të larta të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit.
Ai ishte gjithashtu i ftuar në një takim përmbajtësor nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.W. Richardson Fellow në Fondacionin “Heritage”, një institut i afërt me programin qeverisës të Presidentit Trump. Në takim morën pjesë edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë.
Hamza tha se kthehet “jashtëzakonisht pozitiv” për mundësitë e reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.
Ai theksoi se Kosova do të rikthehet në Washington “më e fortë se kurrë”, me projekte konkrete, investime të prekshme dhe me një përfshirje më të thellë të SHBA-së në zhvillimin e Kosovës në diplomaci, ekonomi, energji, ushtri dhe inteligjencë.








