Premium Store
02KOSOVËLAJME

Bekim Haxhiu reagon pas incidentit në Skenderaj: “Kur preket dinjiteti ynë, ne qëndrojmë bashkë”

Kandidati i Partisë Demokratike fë Kosovës për deputet, Bekim Haxhiu – Kamishi, ka reaguar pas raportimeve për incidentin e sotëm në Skenderaj, ku u raportua se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është përfshirë në një përplasje fizike me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, njëherit zëvendësministrin e Financave, Hysni Mehani, njofton Mitropol.

Në reagimin e tij publik, Haxhiu ka mbrojtur figurën e Lushtakut, duke thënë se ai nuk meriton të etiketohet me terma fyese, teksa ka akuzuar kundërshtarët politikë për nxitje të përçarjes dhe degradim të diskursit publik.

London

“Kur vasalët e pushtetit degradojnë deri në atë pikë sa një udhëheqës lufte ta quajnë ‘Sami Serbia’, atëherë duhet t’i mendojnë mirë pasojat e fjalëve dhe veprimeve të tyre”, ka shkruar Haxhiu.

Ai ka theksuar se Lushtaku ishte pjesë e luftës për çlirimin e vendit dhe se, sipas tij, askush nuk ka të drejtë të njollosë sakrificën e ish-luftëtarëve.

“Sami Lushtaku nuk iu nënshtrua Serbisë. Ai luftoi për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën e popullit tonë për të jetuar i lirë. Prandaj, askush nuk ka të drejtë të njollosë sakrificën e luftëtarëve dhe vlerat për të cilat është derdhur gjak”, deklaroi ai.

Tutje, Haxhiu kritikoi institucionet për heshtje, duke thënë se mungesa e reagimit ndaj gjuhës fyese dhe etiketimeve po kontribuon në krijimin e një klime përçarëse në vend.

“Kur shpifja, fyerja, etiketimi dhe përgojimi bëhen mënyrë veprimi, ndërsa institucionet heshtin dhe drejtësia nuk reagon, atëherë përgjegjësinë për pasojat e mbajnë ata që e nxisin dhe e ushqejnë këtë klimë përçarjeje”, u shpreh ai.

Në fund të reagimit, kandidati i PDK-së tha se situata të tilla nuk lidhen më vetëm me politikën, por me cenimin e dinjitetit dhe vlerave kombëtare.

“Kjo nuk është më politikë, është cenim i dinjitetit dhe i vlerave tona kombëtare. Kur preket dinjiteti ynë, ne qëndrojmë bashkë”, përfundoi Haxhiu./Mitropol/

Dukato 1