Bio Mulaku lirohet nga paraburgimi
Nazim Mulaku, i njohur me nofkën ‘Bio Mulaku’ është liruar nga masa e paraburgimit me vendim të Gjykatës Supreme.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Fanol Krasniqi – Vendimin e ka marrë Gjykata Supreme.
Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të cilin e ka parë Insajderi, i jepen të drejtë pretendimeve të mbrojtjes në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
“Kjo Gjykatë konsideron se nuk qëndron baza ligjore e parashikuar me neni 184, paragrafi 1, nën- paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, ngase edhe pse i pandehuri ka vendqëndrim në Zvicër, prania e tij mund të sigurohet me anë të sekuestrimit të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit të të pandehurit, flesave, bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë apo masave tjera të përshtatshme.
Po ashtu edhe sa i përket bazës ligjore të parashikuar me dispozitën e nenit 184, paragrafi 1 nën- paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2, të KPP-së, ngase siç rezulton nga shkresat e lëndës, nuk është gjetur ndonjë rrethanë konkrete e cila do të konfirmonte frikën e bazuar se të pandehurit do të do ndikojnë te dëshmitarët të cilët janë të supozuar, pasi që nuk janë cekur emrat e tyre dhe ende nuk dihet se kush mund të jenë.
Gjithashtu, edhe sa i përket bazës ligjore të parashikuar me dispozitën e nenit 184, paragrafi 1 nën-paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.3 të KPP-së, duke pasur parasysh rrethanat personale të të pandehurve, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit edhe pse është theksuar fakti se i pandehuri i parë (Nazmi Mulaku) edhe më parë ka qenë i gjykuar për vepra penale, nuk është specifikuar dhe mbështetur në aktgjykime të cituara me numër dhe se nuk kanë dhënë ndonjë arsye konkrete tjetër përpos përshkrimit të veprimeve të të pandehurve”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Supremes./Insajderi