Bisedat me Radoiçiqin, Kusari e pështjellon krejt: “S’e kam kontestuar vërtetësinë”; “kam dyshuar se është e manipuluar”
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, sërish ka akuzuar mediat për “këputje dhe ngjitje sipas dëshirës dhe objektivit” të bisedave mes saj dhe kryeorganizatorit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.
Gjatë një interviste në “Konfront” të KTV-së, Kusari dha një kronologji konfuze duke pranuar se vitin e kaluar nuk e kontestuar vërtetësinë e publikimit të bisedave nga Nacionale dhe dyshimet që ajo pretendon se ka për ato që ajo i quan “elemente të bisedës telefonike.”
“Vitin e kaluar unë nuk e kam kontestuar vërtetësinë në kuptimin e materialit që është publikuar por ka qenë evidente që nuk ka qenë një bisedë e tërë. Ka pasur shumë ndërprerje dhe janë dhënë tituj të temave të bisedave sipas vullnetit, dëshirës apo qëllimit të autorit.
Në zyrë ka ndodhur biseda si e plotë, para. Ndërsa ajo çfarë ndodhi këtë vit dhe ajo çfarë u paralajmërua, fillimisht në momentin kur është publiku me 1 qershor nga i njëjti portal si i vitit të kaluar, e ka pasur vetëm një përshëndetje e cila synonte të hidhte poshtë faktin të cilin unë kam deklaruar se ka qenë vetëm një bisedë të cilën e ka përçuar Sllavko Simiq në zyrën time përmes interfonit të Millan Radoiçiq dhe i cili është drejtu fillimisht në gjuhën shqipe. Ndërsa biseda që është publiku ka pasur elemente të bisedës telefonike. Domëthënë jo e njëjta me atë dhe aty e kam pasur dyshimin e parë që kjo është e manipuluar.
“Po biseda që ka ndodhur në zyrë është këputur, është ngjitur sipas dëshirës apo sipas objektivit që e ka pasur portali për ta prezantuar temën në fjalë.” – deklaroi Kusari.