
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se një prokuror po e mban prapa çështjen e sulmit në Banjskë, duke thënë se ai është dashur t’i paraprijë Qeverisë me informacione.
Sipas Bislimit, prokuroria po hesht në rastin e Banjskës dhe s’po kërkon ekstradimin e prijësit të sulmit së 24 shtatorit, Milan Radoiçiq.
“Si mund të kërkoj unë angazhim më të madh nga Brukseli kur ky angazhim mungon në Prishtinë. Prokuroria në Kosovës hesht dhe nuk thotë ‘na e ekstradoni Radoiçiqin sepse koha po shkon’ dhe sa më shumë që rri ai në Kopaonik, ka rrezik për sulm. Një prokuror i cili është dashur të na paraprijë neve me argumente, po na mban prapa, s’po hap rrugë për të thënë se hetimet kanë përfunduar”, ka thënë Bislimi në “Konfront” të KTV-së të mërkurën.
Ai ka shtuar se kerkesë për ekstradim duhet t’i bëhet edhe shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, nëse nga hetimet e Prokurorisë del se ka qenë i përfshirë.
“…Ne do të ekstradojmë z.Radoçiqi, nëse ke nxjerr përfundime se është edhe z.Vulin, atëherë edhe ekstradimi i z.Vulin e pastaj ne me kërku hapa ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.







