Medi
KOSOVËLAJME

Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Tripika

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

Sipas saj, Presidenca Çeke beson se ky përditësim do të jetë pozitiv dhe se do t’i konfirmojë rezultatet e gjetjeve të Komisionit në vitin 2018.

“Ambicie e Presidencës Çeke është që të ndërtojë mbështetje mes shteteve anëtare dhe të nisë procedurën relevante legjislative, që do të rezultojë me relaksimin e regjimit të vizave për Kosovën”, thekson letra.

Përmes saj, Çekia thotë se i kupton edhe shqetësimet e disa vendeve anëtare të BE-së për implikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave për Kosovën për sigurinë e brendshme të tyre.

Për këtë arsye, ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare janë më shumë të rezervuara për të miratuar liberalizimin e vizave, sesa ministritë e Punëve të Jashtme.

Çekia, megjithatë, thirret në vlerësimin e Komisionit Evropian për adresimin e këtyre shqetësimeve.

“Komisioni Evropian është i bindur se dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk paraqet rrezik për vendet anëtare në formën e valës së imigrimit”, thotë Presidenca Çeke, duke shtuar se edhe Kosova ka marrë masa për t’i adresuar këto shqetësime.

“Vlen po ashtu të theksohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 3 gusht rezolutën për liberalizimin e vizave. Me këtë rezolutë, institucionet e Kosovës zotohen t’i zbatojnë të gjitha reformat, për të garantuar sundimin e ligjit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidenca Çeke e vlerëson lart miratimin e kësaj rezolute, e cila është një dëshmi e rëndësishme e përkushtimit nga ana e Kosovës”, thuhet në letër.

Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit, e cila do të shoqërohet edhe me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Edhe nga Komisioni Evropian është konfirmuar se do të raportojë pozitivisht për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Një person duke aplikuar për vizë Shengen. Fotografi ilustruese.

Liberalizimi i vizave në një fazë vendimtare

Burimet diplomatike në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Por, pavarësisht kësaj, ato hezitojnë të përmendin afate se kur do të miratohej vendimi dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Active 1