Biseda e Kusari-Lilës me Radoiçiqin, koordinohen për një ligj – Radoiçiqi e përmend edhe Kurtin
Mediumi “Paparaci” ka publikuar një video, ku dëgjohen teksa flasin me njëri-tjetrin Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, dhe Milan Radoiçiq, i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë. Biseda është realizuar me ndihmën e Slavko Simiq, deputet i Listës Serbe dhe dyshohet të jetë bërë në qershor të vitit 2022, para sulmit në Banjskë, por pasi ishte futur Radoiçiqi në listë të zezë nga ShBA-ja.
Biseda nis krejt natyrshëm, me Radoiçiqin qe e quan Kusari-Lilën “vendase”. E pastaj, Radoiçiqi ia ofron bashkëpunimin për Ligjin për Pagën Minimale, ndërsa i tregon se ka kërkesa. Madje, për këto kërkesa, Radoiçiqi i kërkon Kusari-Lilës t’i flasë me kryeministrin Albin Kurti.
Biseda e transkriptuar nga Paparaci:
Me të nisur biseda telefonike, Simiq e informon Kusari-Lilën se ka mbërritur “te Millani [Radoiçiqi, v.j]” dhe i sugjeron të dëgjohej direkt me të.
“Hej kolege, ja mbërrita te Millani, dhe ja dëgjohu me të”, i thotë Simiq, Kusari-Lilës.
“Hajde”, i përgjigjet Kusari-Lila, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Pasi të dy merren vesh për kyçjen në bisedë të Radoiçiqit, Simiq ia kalon telefonin të fortit të Listës Serbe.
“Allo vendase, a po dëgjohemi?”, e pyet Radoiçiqi, Kusari-Lilën.
“Po, po, po të dëgjoj”, ia kthen ajo.
“E super, si jeni, a jeni të vyeshëm?”, e pyet sërish Radoiçiqi, zyrtaren e LVV-së.
“Ja isha në Kuvend dhe pata disa takime dhe derisa u lirova, tash po shkoj në shtëpi”, përgjigjet ajo.
Biseda mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit përqendrohet te agjenda legjislative, konkretisht te Projektligji për Pagën Minimale dhe votimi i kandidatëve për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Asokohe, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej procesi i përzgjedhjes së dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konkursi i parë për dy gjyqtarë të Kushtetueses kishte dështuar në një seancë të mbajtur më 5 maj 2022, disa javë para se të realizohej biseda Radoiçiq – Kusari-Lila.
Konkursi ishte rishpallur sërish dhe në nëntor të atij viti, Enver Peci kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme për një pozitë të gjyqtarit në Kushtetuese.
“A, mirë, mirë, shiko, më tregoi Sllavko se keni nevojë për votat tona rreth Ligjit për rroga minimale…”, pohon Radoiçiq.
“Po?”, ia kthen Kusari-Lila.
“… dhe për votimin për gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese…”, vazhdon komunikimin ish-nënkryetari i Listës Serbe.
“Po?”, konfirmon shefja e deputetëve të LVV-së.
Koordinimi për votat e deputetëve të Listës Serbe mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit vazhdon.
Ai shprehet i hapur të “ndihmojë rreth kësaj” me disa kërkesa, për të cilat i kërkon Kusari-Lilës që të bisedojë me shefin e saj.
“Nuk shoh asnjë pengesë t’ju ndihmojmë rreth kësaj, por kemi edhe ne disa kërkesa të cilat ti duhet t’i shikosh me shefin tënd të na ndihmosh…”, i thotë Radoiçiq, Kusari-Lilës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së nuk ia hedh poshtë “ofertën” Radoiçiqit.
“Hajt shohim tani…”, i thotë Kusari-Lila, Radoiçiqit.
Para se të përshëndeten, Radoiçiq, i informuar për agjendën legjislative, i rekomandon Kusari-Lilës që të takohej me “Sllavkon [Simiqin, v.j] të hënën”.
“Ja, pasi ky ligj është të martën, ti do të takohesh me Sllavkon të hënën, dhe ne gjithqysh jemi në lidhje, unë të përshëndes dhe ja ku e ke Sllavkon”, thotë Radoiçiqi.
Pasi ia kalon sërish telefonin Simiqit, ish-shefi i GP të Listës Serbe ia konfirmon Kusari-Lilës takimin për ditën e hënë me premtimin se “do të merremi vesh”.
“Kurrgjë kolege, shihemi ne të hënën dhe do të merremi vesh”, pohon Simiq.
“Shihemi të hënën”, ia kthen ajo.