Mbyllja e komunës ilegale të Skenderajt, Arkivi i Kosovës dhe Trepça marrin dokumentet që u takon
Para disa ditësh policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të Mitrovicës, ku e ka mbyllur komunën ilegale të Skenderajt që funksiononte atje.
Derisa sot, dokumentacionin, pra pjesën e tyre që u ka takuar e kanë marrë Arkivi i Kosovës dhe Ndërmarrja Trepça.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Petrit Fejza, shef i operativës rajonale të policisë në Mitrovicën e Veriut.
“Ju e dini që para disa ditësh e kemi mbyllur komunën ilegale të Skenderajt, domethënë ku kanë funksionuar strukturat ilegale, ndërsa sot një pjesë e dokumentacionit është marrë nga Arkivi i Kosovës, ka mbetur edhe disa për t’u klasifikuar sepse ka pasur shumë. Dokumentacionin e kanë marrë edhe Ndërmarrja Trepça”, tha Fejza.
“Sot ne kemi qenë në asistencë të tyre, derisa aksioni për mbylljen u zhvillua disa ditë më parë”, deklaroi ai.