Behgjet Pacolli siguron njohjen e re nga Afrika: Përpjekjet private para ditës së Pavarësisë së Kosovës

Një shtet afrikan do të njohë Kosovën tri ditë përpara 17 shkurtit, dita e Pavarësisë së Kosovës dhe meritori për këtë, është biznesmeni dhe lideri politik, Behgjet Pacolli, i cili falë njohjeve të tija të gjera dhe lobimit të pandalur në kontinentin afrikan, ia ka dalë sërish të nderojë diplomacinë kosovare.
Ky hap vjen si rezultat i përpjekjeve të tij personale në diplomacinë e jashtme, një angazhim që Pacolli e ka shfaqur në vazhdimësi në çështjen e konsolidimit të njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.
Burime të afërta me Pacollin kanë konfirmuar se ky zhvillim është rezultat i negociatave të tij të drejtpërdrejta, të cilat ai i ka ndërmarrë pa përkrahjen institucionale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Përveç vlerës simbolike në prag të një date historike për shtetin, njohja ka një rëndësi strategjike për përforcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës në kontinentin afrikan, një zonë ku njohjet kanë qenë të kufizuara deri më tani.
Ndërkohë, kjo arritje private ka rikthyer kritikat ndaj qeverisë së Albin Kurtit dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Qeveria Kurti, gjatë katër viteve të saj në pushtet, është përballur me akuzat për mungesë progresi në sigurimin e njohjeve të reja ndërkombëtare, ndërsa tensionet e saj me BE-në dhe SHBA-të janë parë si pengesë për avancimin e politikës së jashtme të Kosovës. Kritikët argumentojnë se qeveria aktuale ka dëmtuar marrëdhëniet diplomatike të kultivuara ndër vite nga administratat e mëparshme, duke bërë që arritjet në këtë drejtim të jenë të pakta ose inekzistente.
Shteti afrikan që ka njohur Kosovën pritet të zyrtarizojë vendimin e tij brenda disa ditësh, ndërsa ky zhvillim vjen si një kujtesë e rëndësishme se diplomacia e drejtuar nga aktorë privatë si Behgjet Pacolli, ende mund të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 Shkurt 2008, Kosova ka qenë në përpjekje për të siguruar njohjen e shteteve të ndryshme, veçanërisht në rajone ku ndikimi serb dhe rus është i fuqishëm. Megjithatë, vitet e fundit janë karakterizuar nga një rënie e dinamikës diplomatike, ndërsa tensionet e brendshme dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë kanë ndërlikuar përpjekjet për sigurimin e njohjeve të reja.
Në këtë kontekst, përpjekjet individuale si ato të Behgjet Pacollit, një politikan me përvojë dhe lidhje të gjera ndërkombëtare, po marrin vëmendje për efektivitetin e tyre.