
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka qenë kryetemë këto ditë për shkak të një deklarate të tij në një forum në Tajvan, ku krahasoi Kosovën me Francën, dhe atë, për ndërtimin e një fabrike të municionit.
Maqedonci është kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje për deputet, dhe sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë 53 mijë e 106 vota.
Maqedonci këtë fundjavë mori pjesë në Forumin e Sigurisë së Halifaxit të zhvilluar në Taipei të Tajvanit.
Nga atje, Maqedonci ka thënë se Kosova po ndërton fabrikë municioni, ndërsa Franca ende s’e ka një të tillë.
“Kjo administratë në ShBA po përsërit nevojën për më shumë investime në mbrojtje dhe siguri në Evropë. Ndoshta unë vij nga kjo prapavijë. Por unë shoh që Evropa nuk ka bërë shumë për t’i ndërtuar kapacitetet e saj, dhe duke u varur vazhdimisht nga ShBA-ja…Në këtë drejtim, justifikoj kërkesën e administratës Trump për më shumë investime në mbrojtje... Për shembull, Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion, dhe Franca ende s’e ka këtë”, ka thënë ai.