Aurora Group
02LAJME

Ankesa për urën e shkatërruar që i detyron banorët e Kçiqit dhe Shupkovcit të devijojnë rrugën për 4 kilometra çdo ditë

 

Aurora Group

Në hyrje të Mitrovicës, mes fshatrave Kçiq i Madh, Kçiq i Vogël dhe Shupkovc, gjendet një urë e vogël mbi lumin Sitnicë, e njohur nga vendasit si “Vig”, që dikur shërbente si lidhja kryesore për banorët që donin të arrinin në tokat e tyre bujqësore, shkruan Mitropol.

TEB

Por sot, ajo nuk është veçse një kujtim i largët i funksionalitetit. E shkatërruar që nga vitet ’90, kjo urë ka mbetur në gjendje të mjerueshme për më shumë se 30 vjet, duke detyruar banorët të bëjnë një devijim të përditshëm prej 3 deri në 4 kilometra për të kaluar lumin.

“Kemi një jetë të tërë që sillemi rreth e përqark për të shkuar në tokat tona. Është lodhje fizike, por edhe harxhim i panevojshëm parash e kohe,” thotë një banor lokal që kontaktoi redaksinë e Mitropol.

Problemi nuk është vetëm çështje komoditeti, është një simbol i neglizhencës institucionale që është shndërruar në normë.

Prej rënies së funksionalitetit të urës, asnjë iniciativë konkrete nuk është ndërmarrë për rikonstruktimin e saj. Asfaltime aty-këtu, premtime gjatë fushatave zgjedhore dhe ndonjë vizitë “simbolike” nga përfaqësues lokalë – por rezultati është po ai: banorët janë të detyruar të bëjnë një rrugë shtesë, ditë për ditë, me shpenzime të larta për karburant dhe kohë të humbur.

Ura aktualisht përbën edhe një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë publike. Edhe pse të rrallë, ka raste kur banorët e guximshëm tentojnë të kalojnë mbi të për të kursyer rrugë, duke vënë në rrezik jetën. Rrëshqitjet, strukturat e çara dhe mungesa e ndonjë sinjalizimi janë një recetë për tragjedi të paralajmëruar.

Banorët thonë se kanë dërguar peticione, kanë bërë ankesa dhe janë ankuar në takime të ndryshme publike, por zëri i tyre nuk ka marrë jehonën që meriton. Ata kërkojnë që urgjentisht të merret masa për rikonstruktimin e urës, për të rikthyer qasjen normale dhe dinjitoze drejt pronave të tyre./Mitropol/

Liri