Active 2
02LAJME

Boshnjaku-Duraku: Armiku donte të na linte analfabetë. Prandaj, krejt kolektivi pranuam të punonim pa paga për një vit

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës,” ku përjetimet e grave mitrovicase mbi sakrificat dhe sfidat gjatë periudhës së okupimit (1980–1990) dalin në pah, mësuesja Remzije Boshnjaku-Duraku, e cila është pensionuar tash e 13 vite, ndau me ne rrëfimin e saj të paharruar, nga momenti kur filloi shkollimin e deri në ditën kur dorëzoi ditarin si mësimdhënëse.

Remzije Boshnjaku-Duraku e nisi rrëfimin e saj duke treguar për kohën kur, bashkë me djalin e dajës, Adnan Çoroglu, filluan të shkonin fshehtas në shkollë, pa dijeninë e familjes.

Active 1

“Shkuam në shkollë, doli një plak: ‘Çka po doni?’ Valla, jena ardh në shkollë. ‘Qysh more në shkollë?’ Na ishim edhe të vegjël me trup, edhe të rinj me moshë. Shkoi dhe e thirri një arsimtare në sallën e mësuesve, një që nuk e njihnim. Ajo doli të ishte shoqja e ngushtë e nanës sime. Nanën e kisha nga një familje turke, babën gjakovar, dy rryma. Me babën flisnim shqip, e me nanën turqisht. Ajo na pyeti: ‘Çka po lypni?’ – ‘Ec more, shkoni në shtëpi, flini!’ Jo more, thashë, ‘jemi ardhë në shkollë, qysh me fjetë, na nuk flejmë në këtë kohë.’ Kur e kuptoi se të kujt ishim, na pranoi. Aty veç këndonim dhe numëronim deri në 10. Na regjistruan në parashkollor”, tregoi ajo.

Ish-mësimdhënësja Remzije Boshnjaku-Duraku rrëfen se, pasi përfundoi shkollën 8-vjeçare në shkollën turke, kishte dy opsione.

“Të ndjek ëndrrën time për t’u bërë mjeke ose të bëhesha mësuese. Nanën e kisha të sëmurë, e shtrirë në shtrat. Thosha ta kryej shkollën dhe ta shëroj nanën. Por fati nuk deshi, ajo vdiq. Në moshën 7-vjeçare mbeta pa nënë”, tregoi ajo.

Ajo thotë se për mjekësi mbeti vonë, prandaj vazhdoi në shkollën e mesme, e cila atëherë quhej Normalja, që zgjaste pesë vite.

“Kam pasur shumë vështirësi, sepse nuk e dija mirë gjuhën shqipe, gramatikën. Vitin e parë mbeta në riprovim nga gjuha shqipe, mirëpo, duke mësuar, ia dola. Krejt është puna, vullneti. Kur njeriu do, të gjitha dyert i hap”, tha mes tjerash ajo.

Tutje, ajo rrëfen se, pas përfundimit të shkollës, pauzoi një vit, sepse nuk kishte vende pune në shkollat e qytetit, por vetëm në ato të fshatit, çka babai i saj nuk e pranonte.

“Një vit pushova. Pastaj, fati deshi të martohem dhe, pasi u martova, përmes shoqërisë së burrit tim, mu hap mundësia dhe u punësova në shkollën ‘Abdullah Shabani’, më 17 tetor 1968. Ia fillova aty. Kolektivi ishte shumë i mirë. Kemi kaluar shumë bukur për 15 vite”, shprehet ajo plot emocion.

Ajo tregon se më parë mësimi mbahej gjashtë ditë në javë dhe klasat kishin deri në 50 nxënës.

Po ashtu, ajo përmend vështirësitë e kohës, sidomos faktin se shumica e nënave të nxënësve ishin analfabete, çka e vështirësonte shumë punën e saj.

“Zhvillimi i shkronjës ‘i’ ishte sfidë. Fëmijët nisnin të qanin, thoshin: ‘Mësuese, nuk po di.’ Nuk dinin as të mbanin lapsin, as të dallonin hapësirat në fletoret me vija. Por me punë, me punë, me punë, ia dolëm. Në arsim, nuk mjafton të jesh vetëm mësuese; duhet të jesh edhe nënë, edhe mjeke, edhe police. Ato vite kanë qenë të vështira, por të ëmbla. Vullneti nuk më ka munguar; do të vazhdoja ende të punoja, sikur të mos më detyronte ligji të dal në pension në moshën 65-vjeçare”, tregoi ajo.

Ajo kujton se gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira me kolegët dhe drejtorët.

“Me të gjithë drejtorët dhe kolegët kam kaluar shumë mirë. Kurrë nuk kemi pasur fjalë. Unë me Zojën Maloku ishim si një mollë e ndarë për gjysmë, ashtu thoshte drejtori ynë. Kemi punuar shumë mirë së bashku”, rrëfen tutje ajo.

Duke kujtuar kohën në shkollën “Abdullah Shabani,” thotë, “Në kohën e Jugosllavisë, ishim 10 paralele me një aktiv. Pa përgatitje nuk shkonim në mësim. Pas orarit të mësimit, mblidheshim, diskutonim dhe përgatiteshim për orët e nesërme. Bashkëpunimi ynë ishte shembullor; ku ka bashkëpunim, mos u frikoni kurrë”.

Ajo shton se vitet ’90 ishin edhe më të vështira.

“Në vitet ’90 ishte edhe më vështirë. Ajri mbushej me erë baruti, toka ishte e përgjakur. Ishte koha e luftës”.

“Me gjeneratën e fundit që u ndamë, shkollat u mbyllën. Ishte e frikshme. Kisha klasën e tretë në ‘Migjen’. Një ditë, teksa jepja mësim, fëmijët shihnin milicët që patrullonin jashtë. Ishte rrezik edhe me i ngritë dy gishta në shenjë paqeje, se mund të arrestoheshe. Fëmijët më pyesnin: ‘Mësuese, çka nëse të marrin?’” rrëfen ajo me emocion.

Ajo kujton se disa herë, nga frika, kishte humbur rrugën, teksa ndalej dhe pyetej nga policët serbë.

Në ato vite të vështira, ajo punoi pa pagesë.

“Thashë: fëmijët tanë mos t’i lëmë pa shkollë. Armiku donte të na linte analfabetë. Prandaj, krejt kolektivi pranuam të punonim pa paga për një vit. Pastaj, falë ndihmës së mërgimtarëve, na dërgonin para. Edhe pse mbajmë orë me nga 30–35 minuta, ia dolëm”, tregon me krenari ajo.

Ajo shton se shumë mësimdhënës, për të mbajtur familjet, punonin edhe si taksistë ose tregtarë.

“Nuk jemi ankuar. Kishim vullnet për punë, sepse nuk donim t’i linim gjeneratat pa shkollim”, thekson ajo.

Në fund, ajo e përmbyll rrëfimin e saj me nostalgji.

“Shkoja në punë gjithmonë 30 minuta para orarit. A e dini pse? Sepse klasat e 8–9-ta linin mbrapa çrregullim. I merrja faculetat me alkool, i pastronim klasat. Veshur me mantila ngjyrë vishnje, punonim me përkushtim. Edhe kur binte borë, dilnim në koridore dhe pastronim çantat e fëmijëve të mbuluara me borë,” tregoi ajo.

Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Active