Një jetë për fëmijët e Mitrovicës: Edukatorja Sulltanie Sahiti pensionohet pas dekadash shërbimi në “Gëzimi Ynë”

Në çerdhen publike “Gëzimi Ynë” në Mitrovicë sot mbretëron një ndjenjë e veçantë. Nuk është një ditë e zakonshme, por një ditë lamtumire e ngrohtë për edukatoren Sulltanie Sahiti – një emër që për dekada ka qenë sinonim i kujdesit, përkushtimit dhe dashurisë për brezat më të vegjël të këtij qyteti, njofton Mitropol.
Pas disa dekadash pune të pandalshme, mësuesja Sulltanie po largohet nga misioni i saj i shenjtë me plot dinjitet, duke e mbyllur një kapitull të lavdishëm të jetës së saj profesionale me buzëqeshjen që gjithmonë e ka karakterizuar.
Prej fillimeve të saj, ajo nuk ka qenë thjesht edukatore – por një nënë e dytë për mijëra fëmijë që kaluan përmes dyerve të “Gëzimi Ynë”. Me durimin që vetëm zemrat e mëdha e njohin dhe me butësinë që vetëm njerëzit e përkushtuar mund ta bartin, mësuesja Sulltanie ishte figura që shpesh i jepte ngrohtësi një mëngjesi të ftohtë të dimrit dhe siguri një fëmije që ndiente mall për shtëpinë.
Kolegët e saj e përshkruajnë si shtyllë të institucioni, një grua që nuk njohu asnjëherë lodhjen kur bëhej fjalë për mirëqenien e fëmijëve.
“Ajo është shembulli më i mirë që kemi pasur mes nesh – gjithmonë e palodhur, gjithmonë me fjalë të ëmbël dhe gjithmonë me përkushtim të plotë për punën,” – e përshkruan një nga bashkëpunëtoret e saj prej shumë vitesh.
Fëmijët, që tani janë rritur, tashmë prindër vetë, kujtojnë me mall kujdesin e saj, zërin e butë dhe përkëdheljen që u ka mbetur në kujtesë si një nga përjetimet më të bukura të fëmijërisë.
Sot, në ditëlindjen e saj të 65-të, ajo largohet nga puna, por jo nga zemrat e të gjithëve që patën fatin ta njohin. Në këtë udhëkryq emocional, ajo merr me vete jo vetëm përvojën, por edhe dashurinë e një qyteti të tërë që i është mirënjohës./Mitropol/