
Kosova është bërë një nga qendrat kyçe të ushtrimit më të madh ushtarak që Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizon në Evropë, Defender Europe 25, ku po marrin pjesë rreth 25,000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vende partnere, shkruan Mitropol.
Me këtë rast Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës.
“Republika e Kosovës është vend nikoqir dhe po merr pjesë me rreth 1000 trupa në ushtrimet që zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.”, tha ai.
Në zonën e Evropës juglindore, ku përfshihet edhe Kosova, janë angazhuar 12,000 trupa nga 19 vende, ndërsa pjesa e ushtrimeve që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.
Një nga momentet më të rëndësishme është vendosja e komandës së Divizionit 28 të këmbësorisë amerikane në bazën e FSK-së në Gjakovë.
“Nga kjo komandë amerikane po udhëhiqen të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore,” bëri të ditur ministri Maqedonci.
FSK po zhvillon operacione sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit, përfshirë qitje me armë të vërteta, me sisteme të blera nga Qeveria e Kosovës.
“Kosova po dëshmon se është e gatshme të mikpresë dhe organizojë ushtrime komplekse ndërkombëtare në nivel të lartë,” përfundoi ministri.








