Ndodh edhe kjo: I mituri nga Mitrovica publikon foto me armë në rrjete sociale – Policia e gjen armën lodër, por nis hetimet për armëmbajtje pa leje

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, që jo rrallëherë dalin të jenë edhe të mitur.
Një rast i tillë ka ndodhur në Mitrovicë, ku një i mitur ka rënë në radarët e Policisë pas publikimit të një fotografie në rrjetet sociale, ku shfaqej me një armë në dorë.
Ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2025 në rrugën “Idriz Rexha” në Mitrovicë, ku Njësia e Hetimeve ka ndërmarrë veprime operacionale pas analizës së materialeve të publikuara online. I dyshuari, K.P., rreth 15-vjeçar, është identifikuar si personi që kishte postuar fotografinë.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është realizuar një kontroll në shtëpinë e të miturit, ku është gjetur një pistoletë metalike e llojit lodër, e cila është sekuestruar si dëshmi materiale.
I mituri është intervistuar në prani të avokatit dhe zyrtarit për punë sociale, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë.








