Medi
02LAJME

Policia bastis një lokal në Vushtrri, gjen armë automatike dhe revole

Një operacion policor është zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Vushtrri, pas një denoncimi se një person posedonte armë zjarri pa leje.

Sipas të dhënave nga burimet, rasti është raportuar më 05 tetor 2025, rreth orës 21:30, në rrugën “Hazir Gjaka”, ku ankuesja, ka raportuar se Jusuf Rama rreth 42-vjeçar posedon armë zjarri me tytë të shkurtër dhe ka treguar lokacionin ku ai mund të ndodhej.

Active

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet për kontrollin e një lokali-objekti, ku gjatë bastisjes, në një automjet të tipit “pikap”, të parkuar para lokalit dhe në pronësi të dëshmitarit V.S janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri: një armë automatike “AK-47” kineze, me 30 fishekë kalibër 7.62×39 mm, dhe një revole “Zastava” me numër serik 83/93, pa municion.

Të dy armët janë konfiskuar nga njësia e hetimeve, ndërsa i dyshuari dhe dëshmitari janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në prani të hetuesve.

Pas përfundimit të intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, palët janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet po vazhdojnë nga njësia e hetimeve në Vushtrri për të sqaruar origjinën e armëve dhe lidhjen e mundshme të personave të përfshirë me to.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Weelnes