
Një sasi e konsiderueshme fishekësh është gjetur gjatë një bastisjeje të Policisë së Kosovës në fshatin Rudar të Zveçanit.
Sipas informacioneve zyrtare, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:45, njësia e Hetimeve Rajonale ka zhvilluar një bastisje në shtëpinë e M.S., rreth 85-vjeçar, ku janë gjetur dhe sekuestruar dhjetëra copë fishekë dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur: një rrip brezi me 25 fishekë të armës së gjuetisë, një rrip tjetër me 40 fishekë të së njëjtës armë, 24 fishekë të tjerë të armës së gjuetisë, një sprej për pastrimin e armës, 11 fishekë shtesë të armës së gjuetisë, si dhe 67 fishekë që dyshohet se janë për armë të gjata, tip AK-47.
Shtëpia ku u gjetën fishekët ishte e pabanuar, pasi i dyshuari kishte ndërruar jetë disa kohë më parë. Në vendin e ngjarjes ka dalë dëshmitarja N.S., rreth 50-vjeçare, mbesa e të ndjerit, e cila ka bashkëpunuar me policinë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar i Shtetit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për sqarimin e plotë të rrethanave.







