Amerika i kërkon Zelenskyt të evakuohet nga Kievi, ai refuzon

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt, që të evakuohet nga Kievi, por ai e ka refuzuar një gjë të tillë.
Sipas Associated Press, Zelensky tha se “Lufta është këtu; Unë kam nevojë për municion, jo për udhëtim”, duke cituar një zyrtar të lartë të inteligjencës amerikane me njohuri të drejtpërdrejta të bisedës.
Në një video të postuar në Twitter të shtunën në mëngjes, presidenti ukrainas mohoi çdo raportim se Ukraina është dorëzuar, në një postim të titulluar “Mos u besoni gënjeshtrave”.
“Unë jam këtu. Ne nuk po i lëmë armët. Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse arma jonë është e vërteta dhe e vërteta jonë është se kjo është toka jonë, vendi ynë, fëmijët tanë dhe ne do t’i mbrojmë të gjitha këto”, tha ai.
“Kjo është ajo. Kjo është gjithçka që doja t’ju them. Lavdi Ukrainës”, vijoi Zelensky.
Në një postim tjetër në Twitter, ai tregoi se sapo kishte folur me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Armët dhe pajisjet nga partnerët tanë janë rrugës për në Ukrainë”, shkroi ai. “Koalicioni kundër luftës po funksionon!”
Kujtojmë se sot është dita e tretë e luftimeve në mes Ukrainës dhe Rusisë.








