Active 2
LAJME

Xhevat Prekazi u ndihmon viktimave të tërmetit në Turqi, pasi e shiti për mijëra euro fanellën e vet

Xhevat Prekazi e ka shitur për mijëra euro në ankand një fanellë me nënshkrimin e vet të ish-klubit Galatasaray dhe paratë e mbledhura nga shitja e saj do të shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë javën e kaluar.

Legjenda e gjigantit turk Prekazi, i lindur në Mitrovicë, e kishte vendosur në ankand fanellën e vet me numrin 8 të premten më 10 shkurt, e cila u shit më 12 shkurt për 210,000 lira turke, apo 10.410 euro, raporton Gazeta Nacionale.

Aurora Group

Fanellën time të Galatasarayt me nënshkrimin tim do t’ia dërgoj ofertuesit më të madh deri të dielën më 12.02.2023 në orën 19:05, për donacion (për viktimat e tërmetit). Nëse blerësi ndodhet në Stamboll, Ankara apo Beograd, ia jap unë vetë”, shkroi Prekazi në Twitter të premten.

Prekazi, i cili karrierën e kishte nisur në klubin e vendlindjes KF Mitrovica, kaloi kohën më të mirë të karrierës te gjiganti turk Galatasaray nga viti 1985 deri në vitin 1991. Pjesën më të madhe të karrierës ai e kaloi si lojtar i Partizanit të Beogradit.

Prekazi, i lindur në Remont të Mitrovicës nga prindër shqiptarë, jeton prej kohësh në Beograd dhe e kishte përfaqësuar Jugosllavinë U21 në futbollin ndërkombëtar gjatë karrierës si futbollist.

Fanella u shit për 210,000 TL te një zotëri i cili nuk deshi t’ia bëjmë publik emrin. Faturën e pagesës për llogarinë @ahbap do ta ndaj me ju shumë shpejt”, shtoi ai.

Në një intervistë në dhjetor të vitit 2022, Prekazi e pranoi se shkon rrallë në vendlindjen e vet në Remont të Mitrovicës.

Vitin e kaluar isha për pak atje. Pashë tre nga miqtë e mi nga rruga. Pjesa tjetër fatkeqësisht nuk është gjallë. Nuk kam parë askënd nga Remonti, përpos Miletoviqit që është këtu në Beograd”, nënvizoi ai.

Tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh mëngjesin e hershëm të 6 shkurtit, i cili i ka vrarë mbi 38 mijë njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 31.643, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 5.700 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Tmerri i tërmetit të fuqishëm në Turqi i ka prekur edhe futbollistët në këtë vend, pasi raportohet se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja dhe disa të tjerë janë lënduar.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Premium Store