
Mbrojtja e Hashim Thaçi pret që ish-presidenti i Kosovës të shpallet i pafajshëm. Në një deklaratë për media pas seancës hapëse të tyre, avokati Gregory Kehoe deklaroi se do të ftohen shumë figura të rëndësishme ndërkombëtare për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara.
Avokati Kehoe tha se provat që sollën sot (e martë) para trupit gjykues dëshmojnë qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një strukturë efektive komanduese.
“Pritjet janë që klienti ynë të shpallet i pafajshëm. Natyrisht, ju i keni parë provat që kemi paraqitur. Është një rast që është paraqitur nga ZPS për komandimin dhe kontrollin, komandimin dhe kontrollin efektiv. Dhe unë mendova se provat që sollëm sot, tregojnë qartë se nuk kishte strukturë komanduese dhe kontrolli, dhe sigurisht jo një strukturë efektive kontrolli komandues. UÇK-ja vepronte në nivel bazë dhe vepronte me kontrollin e zonave operative, dhe komandantëve të zonave operative dhe nuk ishte një zinxhir komandues vertikal. Mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë sot”, deklaroi Kehoe.
Kehoe deklaroi se do të ftohen si dëshmitarë shumë prej figurave të rëndësishme ndërkombëtare, edhe pse shtoi se për shkak të moshës kishin kërkuar që të merrnin dëshmitë e tyre përpara procesit të gjykimit.
“Ne kemi qenë shumë të hapur sa i përket dëshmitarëve që do të thërrasim. Do të jetë ambasadori Kushner, do të jetë ambasadori Walker nga Shtetet e Bashkuara, ambasadori Evarts që ishte me OSBE-në, por ishte edhe ambasador i Holandës, ndoshta do të përpiqemi të ftojmë edhe Jamie Rubin, i cili ishte ish-zëdhënës i Departamenti i Shtetit, siç e dëgjuat sot sigurisht, ju e dini që e dini se sekretarja Albright ka ndërruar jetë, ashtu sikur presidenti Rugova, por ne do të ftojmë çdo individ që kanë qenë njerëz të lartë në OSBE; ambasadorin Covey; dhe kë tjetër? Por këta janë emrat për të cilët kemi folur më parë, gjeneralin Clark po, këta janë emra për të cilët kemi folur përpara se të publikojmë. Pra, ne kemi dosje ku janë të gjithë emrat, por çfarë ne fillimisht ishim përpjekur të bënim ishte të merrnim dëshminë e tyre përpara gjyqit. Dhe arsyeja për këtë sinqerisht është se shumë nga këta njerëz; unë u uroj atyre një jetë të gjatë, por shumë nga këta zotërinj janë në të 80-at e tyre”, vijoi ai.
Gjatë procesit të sotëm (e martë), është përmendur edhe emri i presidentit aktual amerikan Joe Biden kur ishte takuar me Thaçin në verën e vitit 1999.








