KOSOVËLAJME

Xhavit Haliti padit Haki Abazin që e akuzoi për vrasjet e pasluftës, ia kërkon 200 mijë euro për shpifje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca dëgjimore në rastin ku Xhavit Haliti, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka paditur për shpifje deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, nga i cili po kërkon 200 mijë euro dhe kundër të njëjtit ka propozuar masë sigurie.

Në fillim të seancës së mbajtur të martën, përfaqësuesi i Halitit, avokati Gent Spahija ka thënë se qëndron në tërësi pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë, përmes së cilës Abazit i ndalohet publikimi i çfarëdo deklarate, prononcimi, njoftimi ose informacioni në lidhje me veprimtarinë e Halitit, shkruan Betimi për Drejtësi, përcjell klankosova.tv.

Tripika

Avokati Spahija tha se propozimi për caktimin e masës së sigurisë është i nevojshëm pasi që konsiderojnë se Abazi do të vazhdojë të bëjë shpifje ndaj Halitit.

Sipas avokatit, një gjë e tillë vërtetohet edhe gjatë një emisioni televiziv, ku Abazi ka qenë i ftuar si mysafir dhe gjatë emisionit kishte deklaruar “sot e them dhe do e them gjithmonë”, gjë që indikon se i njëjti ende mund të tentojë të diskreditojë reputacionin e paditësit Haliti.

Gjithashtu në këtë seancë ka prezantuar edhe Haki Abazi, i cili e ka kundërshtuar si të pabazuar propozimin e propozuesit për caktimin e masës së sigurisë, pasi që qëllimi i masës sipas tij nuk ka të bëjë asgjë më pretendimet e ngritura dhe të gjitha deklarimet e bëra janë të referuara në burimet mediale ndërkombëtare dhe në raportin e KFOR-it.

Tutje, Abazi ka thënë edhe se çështjet e ngritura janë bërë në formë të pyetjeve lidhur me raportin e lartcekur dhe ka konsideruar që e gjithë kjo lëndë bie në sferën e të drejtës së të shprehurit të lirë dhe përbrenda kornizës së të drejtave demokratike qytetare.

Abazi ka shtuar se limitimi i këtyre të drejtave është cenim i demokracisë dhe të drejtës së medieve për të shkruar dhe ngritur çështjet e rëndësishme për shoqërinë.

Pasi që palët ndërgjyqëse nuk kishin asgjë për të shtuar, gjykatësi i rastit Egzon Mujaj konstatoi se kjo seancë dëgjimore ka përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së 7 qershorit 2021, paditësi Xhavit Haliti ka paditur Haki Abazin për shpifje dhe ka propozuar lëshimin e masës së sigurisë.

Në padi thuhet se më 27 maj 2021, i padituri Abazi përmes një paraqitjeje televizive, kishte deklaruar:

Xhavit Haliti duhet të japë llogari për vrasjet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë”, “Duke e ditur se kush është Xhavit Haliti sigurisht se me qef do ta kisha bërë këtë deklaratë në prani të tij. Xhavit Haliti është njeri që e ka përcjellë luftën nga Rogneri, ka probleme që janë të ditura për keqpërdorimet e fondit “Vendlindja thërret”. Dihet roli i tij në proceset e eliminimit fizik të kundërshtarëve të tij politik gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. Janë raportet e KFOR-it. Le të del Xhavit Haliti të thotë për keqpërdorimin e një euroje të vetëm. Po flas me raportin KFOR. Ai mund të flasë për furnizimin me armë dhe ndërprerjen, ku janë vrarë ushtarë në prezencë të njerëzve e ku kam qenë edhe unë. Le të del me një dëshmi të vetme. Unë po i them se nuk duhet të keqpërdorej komisioni për skandalizim të çështjeve për shkak të inateve të tij. Dhe çfarë mund ta pres në të ardhmen në proceset gjyqësore. Z. Haliti është ai që siç e thotë edhe vet se e ka menaxhuar luftën. Si është vrarë Ahmet Krasniqi, çfarë ka ndodhur me Ilir Konushevcin. Për krimet duhet të përgjigjen njerëzit që i kanë bërë dhe që kanë qenë në hiearkinë, Enver Maloku është vdekur, Xhemajl Mustafa është i vrarë”.

Sipas padisë, thuhet se këto deklarata nga ana e të paditurit Abazi, janë bërë me qëllim që përmes shpifjes të diskreditojë reputacionin e paditësit Haliti si deputet i zgjedhur, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe me deklaratat e tilla i padituri ka shkelur dispozitat e Ligjit 02/L-65 Kundër Shpifjes dhe Fyerjes neni a, e paditësit 1 pika a).

Mbi këtë bazë, paditësi Haliti kërkon nga gjykata të aprovohet në tërësi kërkesëpadia e tij dhe të obligohet i padituri Abazi që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial t’ia kompensojë shumën prej 200 mijë euro me kamatën ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga marrja e aktgjykimit.

Po ashtu, me padi kërkon që të obligohet i padituri që në të paktën 3 gazeta ditore në të gjitha televizionet kombëtare të bëjë kërkimfalje për shpifje ndaj paditësit Haliti.

Koha