
Radiotelevizioni i Kosovës ka raportuar se Serbia ka vendosur barrierë jotarifore ndaj prodhimeve kosovare.
Sipas raportimit, çdo produkt që hyn nga Kosova në Serbi, duhet t’i nënshtrohet analizës laboratorike, dhe produkti bllokohet në depo doganore deri në marrjen e analizave.
Ndërkohë, se janë të njoftuar me një pengesë të tillë e kanë konfirmuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari Lulzim Rafuna ka deklaruar se e njëjta duhet të eliminohet sa më parë, dhe se e kanë ngritur këtë çështje edhe në takime të ndryshme.
“Po jemi të njoftuar për pengesat e tilla që u bëhen prodhueseve të Kosovës. Ne si Odë Ekonomike e Kosovës e kemi ngritur këtë çështje në takimet rajonale që i kemi në kuadër të Ballkanit Perëndimor ËB6, të Forumit Investiv të Odave, në prezencë të zyrtarëve të Komisionit Evropian dhe kërkojmë që sa më shpejt të eliminohen. Këtë çështje do ta ngritim edhe në takimet e radhës për t’i eliminuar të gjitha pengesat që u bëhen prodhimeve kosovare. Sikur Kosova që nuk u bën pengesë importeve të mallrave të huaja në tregun tonë, edhe prodhimet tona duhet ta kenë të njëjtën qasje pa pengesa në tregun e rajonit.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, mediumi publik raporton se ka pyetur edhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për këtë çështje, por nuk kanë marrë përgjigje.








