Ky është i dyshuari që iku para syve Policisë në Vushtrri, u hodh nga dritarja e stacionit policor

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, apo edhe nga stacionet policore.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi, në stacionin policor në Vushtrri, ku një i dyshuar që u arrestua nga Policia arriti të ikë. Gjithçka ndodhi për pak minuta, kur i dyshuari shfrytëzoi kohën kur mbeti vet dhe ia mbathi nga dritarja.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Burim Azemin, i cili është shpallur në kërkim nga Policia.
I dyshuari ishte shoqëruar në stacion policor në lidhje me një rast për të cilin Gjykata kishte lëshuar urdhër për arrestim, për shkak se i njëjti ndodhej në arrati.
Kjo bëri që Policia të aktivizohej sërish, por i dyshuari është larguar në një drejtim të panjohur dhe ende nuk është bërë lokalizimi i vendndodhjes së tij.








