LAJME

As mbyllja e Lulzim Hetemit s’po ua ndalon punën komunave paralele serbe në veri – vazhdojnë nënshkrim kontratash dhe dhënie tenderësh

Që nga shpërthimi i krizës, në fund të majit në veri të Kosovës, autoritetet e përkohshme komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohen paralele nga autoritetet e Kosovës – janë duke punuar nga lokacione “alternative”.

Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga burime të ndryshme.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

Se këto komuna janë duke funksionuar, mund të shihet gjithashtu edhe në faqet e tyre të internetit apo llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës këto autoritetet të përkohshme japin tenderë për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, të cilat mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi.

Këto organe, të cilat janë të paligjshme për autoritetet e Kosovës, deri më tani kanë funksionuar paralelisht në objektet e njëjta me komunat e sistemit të Kosovës. Ato objekte janë të paqasshme për qytetarët, që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë hynë në zyra me asistencën e policisë, gjë që u kundërshtua ashpër nga popullata lokale serbe.

Kryetarët shqiptarë të komunave që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, janë vazhdimisht në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata në Zubin Potok dhe Zveçan punojnë nga lokacione alternative, në fshatrat e afërta, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës.

Nga ana tjetër, departamente të ndryshme të strukturave komunale serbe, funksionojnë në objektet ku institucionet punojnë sipas sistemit të Serbisë. Për shembull, në objektin komunal “Mitrovica e Kosovës” në Mitrovicë të Veriut, ofrohen shërbime të caktuara për qytetarët e Zveçanit.

Komunat serbe nënshkruajnë kontrata dhe shpërndajnë ndihma financiare

Po ashtu, më 5 korrik, autoriteti i përkohshëm komunal në Leposaviq, i cili financohet nga buxheti i Serbisë, shpalli thirrje për ndihmë financiare për fëmijët.

Siç thuhet në ftesë, ndihmat ndahen nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por qytetarët janë të ftuar që “për shkak të situatës aktuale” t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme në Qendrën për Punë Sociale në Leposaviq.

Kjo qendër, gjithashtu, funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.

Në ndërkohë, kryetari i Autoritetit të përkohshëm komunal të Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, me ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Martinoviq, nënshkruan marrëveshjen për ndarjen e mjeteve për projektin e rregullimit të një pjese të aksit rrugor Ujman – fshati Kovaçi.

Kjo kontratë kap vlerën rreth 8 milionë dinarë, që është afër 70.000 euro.

Dhënia e tenderit gjatë krizës në veri

Organet e përkohshme komunale apo kompanitë që funksionojnë në kuadër të vetëqeverisjeve lokale sipas sistemit serb në veri të Kosovës, nuk kanë ndalur dhënien e tenderëve për realizimin e projekteve të ndryshme.

Një prej tyre është “Realizimi i projektit për përmirësimin dhe rehabilitimit të deponisë komunale”.

Pas këtij projekti, me vlerë rreth 5 milionë dinarë ose rreth 50 mijë euro, qëndron Autoriteti i përkohshëm i Leposaviq, ndërsa tenderi i është dhënë kompanisë “RAD 028” nga Zveçani.

Pronar i kësaj kompanie është Radulle Steviq, i cila është në listën e zezë të SHBA-së.

E njëjta kompani, në fillim të qershorit, ka marrë tender nga Autoriteti i përkohshëm komunal në Zubin Potok, për ndërtimin e një shtëpie për një familje në fshatin Jasenovik i Epërm dhe për “prokurimin e transformatorëve për furnizimin me energji të njësive të banimit”.

Si funksionojnë komunat e Kosovës në veri?

Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, qëndrojnë çdo ditë në objektet komunale, prej nga kryejnë detyrat e tyre.

Megjithatë, për dallim nga Leposaviqi, në Mitrovicë të Veriut nuk ka protesta para objektit komunal, për shkak se ndërtesa është e ndarë fizikisht nga Autoriteti i përkohshëm komunal serb.

Nga ana tjetër, kryetarët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, punojnë nga zyrat komunale që gjenden në fshatrat e banuara me shqiptarë.

Janë emëruar anëtarë të kabineteve të tyre dhe drejtorë të departamenteve të ndryshme, por nuk mund t’u ofrohen shërbime qytetarëve në vetë objektet komunale – përveç në Mitrovicë të Veriut – për shkak se popullata lokale serbe po proteston çdo ditë para objekteve.

Gjithashtu, para objekteve komunale gjenden edhe pjesëtarët e KFOR-it.

Nenad Radosavleviq, i cili më 5 korrik është emëruar në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për sport, rini dhe kulturë në komunën e Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës, vlerëson se më së shumti vuajnë “qytetarët e zakonshëm” nga fakti se vetëqeverisjet lokale nuk janë funksionale.

Ai shton se ka pranuar të marrë pjesë në punë, në mënyrë që të shfrytëzohet buxhet i planifikuar, derisa kriza në veri po vazhdon.

Në një prononcim, ai thekson se “është e tmerrshme që të gjithë i harrojnë njerëzit e thjeshtë, të cilët kanë nevojë për shërbimet e vetëqeverisjes lokale”.

Ndonëse, siç thotë ai, që nga emërimi i tij nuk ka pasur asnjë takim me kryetarin Hetemi dhe as nuk janë ndërmarrë hapa në funksionalizimin e dikasterit të tij, ai beson se në Prishtinë ka “vullnet të mirë” për t’iu përgjigjur kërkesave të tij.

“Mandati im është i kufizuar dhe i qartë, është deri në fund të vitit para zgjedhjeve të reja dhe ka të bëjë me normalizimin dhe hapjen e fondeve për përfituesit që kanë nevojë”, thotë ai.