Kurti thërret operatorët që edhe natën të vazhdojnë punimet në rrugën në drejtim të Mitrovicës
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se është e rëndësishme që për investimet në infrastrukturë të vendosen rregulla të qarta të konkurrencës, përzgjedhjes e definimi i qartë i obligimeve reciproke, si dhe respektim pa kushte të këtyre obligimeve.
Në një takim me pronarët e ndërtimit të rrugëve, Kurti ka thënë se janë në proces të korrigjimit të lëshimeve në projekte, rregullimin e çështjes së pronave dhe shtim të angazhimeve në projekte ekzistuese.
Kurti ka thënë se Qeveria e tij do që ekzekutimi i punimeve në rrugë të jetë i shpejtë, “e jo pa përgatitje e planifikim, e me ekzekutime të tejzgjatura”.
Ai u bëri thirrje Operatorëve Ekonomikë aktualisht të kontraktuar që “të shtojnë kapacitetet e angazhuara në pajisje dhe personel në realizimin e obligimeve të kontraktuara; të respektojnë maskimalisht standardet, kualitetin/cilësinë e materialeve dhe sigurinë në punë; të mundësojnë qarkullimin e automjeteve nëpër segmentet ku punohet në veçanti në periudhën e vizitës së bashkatdhetarëve, dhe në segmentet me qarkullim të madh, të shfrytëzohet edhe nata për të ekzekutuar punët”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Ndërkohë që është zotuar se MMPHI-ja dhe MF-ja do të shtojnë kapacitete mbështetëse për të siguruar se puna e kryer do të paguhet në afat maksimalisht të shkurtuar si dhe problemet eventuale pronësore apo të tjera të zgjidhen në afat rekord.
“Si qeveri, i kemi vënë vetës qëllim që faturat do të paguhen me kohë, në mënyrë që të mos shkaktohen probleme për punëkryesit, sepse jemi të vetëdijshëm për probleme të tilla në të kaluarën”, tha ai.
Kurti ka përmendur një sërë projektesh me afatet e tejzgjatura në realizim të kontratave si:
- Investimet në Drenicë (rruga Komoran-Skenderaj) kanë filluar në vitin 2014. Për shkak problemeve të pazgjidhura – ende e papërfunduar;
- Investimet në Dukagjin (Dollc-Gjakovë) e filluar më 2019, ende e papërfunduar, ende me problem të pronave dhe projektit të pazgjedhura;
- Investimi në drejtim të Mitrovicës – i papërgatitur dhe rrjedhimisht i tejzgjatur dhe ende i papërfunduar;
- Investimi në drejtim të Gjilanit (Autoudha dhe jo vetëm), të papërgatitura dhe rrjedhimisht të tejzgjatura;
- Investimet në drejtim të Llapit të filluara pa shpronësime, të papërfunduar.