“Atë policin që e kanë vrarë”: Si e ofendoi Mimoza Kusari-Lila veprën e heroit Enver Zymberi?
Është publikuar pjesa e tretë të audio-incizimeve të Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së dhe Slavko Simiq, ish-deputet i Listës Serbe.
Në të Kusari e akuzon Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, për fryerje të listave të veteranëve të UÇK-së dhe e ofendon rëndë Uran Ismailin e PDK-së, duke e quajtur idiot patetik.
Përveç këtyre qëndrimeve ofenduese, Kusari-Lila ka bërë edhe një deklaratë skandaloze.
Ajo e uli veprën e Enver Zymberit, heroit të Kosovës, që ishte shpallur nga presidentja Atifete Jahjaga, i cili ra në krye të detyrës gjatë aksionit në veri në korrik të vitit 2011, që kishte për qëllim vënien nën komandë të pikave doganore 1 dhe 31.
Kusari e cilësoi rënien heroike të Zymberit si “atë policin Enver Zymberi që e kanë vrarë”.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është… Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK”.
“Kemi pasur marrëdhënien më të mirë. Urani, dy herë, jo një herë, dy herë, publikisht, më ka sulmuar në mënyrën më të ultë. As të tjerët nuk kanë bërë çfarë ka bërë ai. Herën e parë e ka bërë, e di atë policin Enver Zymberi që e kanë vrarë, po flisnim për gjendjen në energji në Komision, ai ende ishte deputet atëherë, dhe ai ka thënë pse ende po presim atë gjendjen tjetër dhe implementimin e marrëveshjen për energjinë. Dërgojeni policinë dhe le të rregullohet. E di atë që keni thënë ju që të mos bëhet në veri”, deklaron Kusari-Lila.
E krejt diçka tjetër kishte deklaruar Kusari-Lila në vitin 2011, kohë kur ajo ishte pjesë e Qeverisë së Dytë të Hashim Thaçit, ish-kryeministër i Kosovës.