EKSKLUZIVE: Ky është punëtori 21 vjeçar që u rrëzua nga ndërtesa e “Ariani Company”, Prokuroria nis hetimet

Dita e djeshme ishte ditë pafat për njërin nga punëtorët e angazhuar në punimet në objektin e firmës nga Vushtrria, “Ariani Company” në Mitrovicë, njofton “Mitropol”.
Kjo pasi një punëtor dyshohet se ka rënë nga kati i dytë i ndërtesës nga pakujdesia. Zakonisht këto fatkeqësi ndodhin në ndërtim, kryesisht në kompanitë gjigante me pasuri milionëshe.
Burime ekskluzive të “Mitropol” njoftojnë se bëhet fjalë për punëtorin 21 vjeçar, Arlind Sejdijaj.
I njejti siç mëson “Mitropol” ka pësuar frakturë (thyerje) në dy duart me ç’rast është dërguar me urgjencë në QKUK në Prishtinë. Momentalisht 21 vjeçari i lënduar rëndë ndodhet jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdon të trajtohet nga mjekët.
Për momentin e rrëzimit të të riut në Polici janë deklaruar edhe dy dëshmitarë të rastit, gjersa Policia ka vazhduar me kryerjen ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.
“Mitropol” poashtu ka mësuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Kujtojmë se pronar i firmës “Ariani Company Sh.P.K të regjistruar në regjistrin e bizneseve më 8 janar 2014 është afaristi i njohur vushtrrias, Arsim Imeri.

Gazeta gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe firmës “Ariani Company” në lidhje me rastin por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit./Mitropol/







