KOSOVËLAJME

KQZ: Zgjedhjet në veri mund të zgjasin disa muaj

Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

“Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit. Nuk përmend ndonjë afat se kur do të mund të mbahen ato.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

“Nuk mund të flasim për afate sepse këto marrin kohë dhe varet çfarë dinamike ndiqet. Por nëse dalin 50.1 për qind dhe votojnë për largimin e tyre, padyshim se zgjedhjet janë një fakt i kryer. Mos të harrojmë kjo situatë është krijuar përsëri si pasojë e veprimi politik të Serbisë për t’i detyruar serbët që të tërhiqen nga institucionet”, ka thënë Rrustemi.

Ish-kryetari i KQZ-së, njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë. Sipas tij, deri në shpalljen e zgjedhjeve do të nevojiten disa muaj kohë.

“Ky proces zgjatë një kohë të caktuar dhe pastaj bëhet votimi i trupës elektorale për të fituar 50 për qind plus një. Nëse kjo bëhet me sukses në katër komunat, atëherë sipas Ligjit për zgjedhjet, presidentja duhet t’i shpall zgjedhjet në afat prej 30 ditëve ose 45 ditëve. Siç pritet dhe shihet do të ketë nevojë edhe për disa muaj kohë që këto formalitet informuese të kryhet, pastaj që të ketë ose jo sukses.”, është shprehur Baraliu.

Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.