
Sulmi në Banjskë ka bërë që numri i policëve të vendosur në dhe përreth objekteve komunale në Veri të mos ndryshoj që nga gushti i vitit të shkuar. Aty prania policore është reduktuar në nivelin 50 për qind që prej dakordimit të arritur me BE-në në Bratislavë, korrikun e shkuar.
Në EULEX thanë se vlerësimi i situatës së sigurisë në veri po bëhet çdo dy javë, e në Polici theksuan se numër të mjaftueshëm të policëve dhe rritja e pranisë do të bëhet varësisht nga situata.
Gjashtë muaj që nga lëvizjet e fundit, ka ngelur në nivelin prej 50 për qind prania e policëve të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në Veri.
Në kuadër të dakordimit me Bashkimin Evropian korrikun e shkuar, Kosova tërhoqi fillimisht 25 për qind të policëve, e një muaj më vonë edhe një 25 përqindësh tjetër.
Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, thotë se praninë policore e ka përcaktuar sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.“Situata e Banjskës i ka ndryshuar shumë gjëra. Ne jemi duke qëndruar në ata numra që jemi tani, mirëpo varësisht nga situata që ne e vlerësojmë mund të rritet ose zvogëlohet numri. Kryesorja është që ky grup punues e analizon situatën ashtu siç mundet me parametrat më të mirë të sigurisë”, tha Elshani.
Në EULEX e kualifikuan pozitiv bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për vlerësimin e situatës në Veri, tek konfirmuan se reduktimi i forcave policore ka mbetur në nivelin 50 për qind.
“Bashkëpunimi ka ecur në mënyrë pozitive. Palët kanë rënë dakord për metodologjinë e kryerjes së vlerësimit të përbashkët, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të evoluimit të situatës së sigurisë dhe përpunimin e raporteve të përbashkëta periodike. Që nga fillimi i procesit, Policia e Kosovës ka reduktuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave komunale në Veri të Kosovës për 50% (25%+ 25%), në përputhje me hapin 1 dhe hapin 2 të marrëveshjes. EULEX-i po e monitoron situatën e sigurisë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe po vazhdon të kryejë rregullisht vlerësimet e përbashkëta, dy-javore, të sigurisë në komunat veriore me Policinë e Kosovës, dhe me pjesëmarrjen e KFOR-it, kur kërkohet”, u tha nga Zyra për Shtyp dhe Informim Publik e EULEX-it.








