02LAJME

Mungojnë dy të akuzuarit, shtyhet gjykimi për vrasje në tentativë të Berat Musliut në Mitrovicë

Për shkak të mungesës së të akuzuarve Gëzim Baliu, dhe Besart Qubreli është shtyrë seanca e gjykimit e planifikuar të mbahej të martën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në rastin ku Baliu dhe Qubreli bashkë me Qun Ferizi dhe Kreshnik Bala akuzohen për vrasje në tentativë të B.M., në janar të 2011-ës në Mitrovicë.

Në këtë rast, Gëzim Baliu, Besart Qubreli, Qun Ferizi dhe Kreshnik Bala ngarkohen me veprën penale “Vrasje në tentativë”, kurse Berat Musliu për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Baliu dhe Qubreli, kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj konstatoi se gjykata posedon raporte të policisë, prej të cilave rezulton se të akuzuarit ndodhen jashtë vendit.

Po ashtu, në këtë seancë mungoi edhe dëshmitarja Ardita Peci, për të cilën  ftesa është kthyer në gjykatë me konstatim se adresa është e panjohur, dhe dëshmitari Afrim Baliu, për të cilin gjykata posedon raport policor që rezulton se i njejti ndodhet në Francë.

Andaj, pasi nuk janë plotësuar kushtet për këtë seancë, e njëjta është shtyrë në afat të pa caktuar.

Fillimisht, gjykata shqyrtoi mundësinë për veçimin e procedurës penale për të akuzuarit që nuk janë të pranishëm, që të vazhdohet shqyrtimi gjyqësor me të akuzuarit prezent, por për shkak të mungesës së dëshmitarëve procedura penale nuk u veçua.

Ndryshe, Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë, më 6 qershor 2011 ngriti aktakuzë kundër Qun Ferizi, Gëzim Baliu, Besart Qubreli, Kreshnik Bala dhe Berat Musliut.

Sipas aktakuzës, Ferizi, Baliu, Qubreli dhe Bala, më 14 janar 2011 në rrugën “Agim Hajrizi”, në Mitrovicë, në bashkëkryerje e me dashje kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Berat Musliun. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje.

Në aktakuzë thuhet se ata e kanë goditur pesë herë me thikë në krah, trup dhe këmbë, derisa kanë arritur policia në vendin e ngjarjes, ata kanë filluar të ikun dhe vepra penale ka mbetur në tentativë.

Me këtë të lartcekurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 146 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-ës.

Kurse, Berat Musliu akuzohet se në të njejtin vend dhe kohë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, së bashku me persona të paidentifikuar, me dashje Qun Ferizin e kanë goditur me thikë në shpinë, në anën e majtë afër kurrizit, dhe në anën e majtë në stomak, po ashtu edhe i dëmtuari Besart ka marrë lëndime trupore në krahë.

Me këtë ai akuzohet se në bashkëkryerje me N.N persona ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147 pika 11 lidhur me nenin 20 dhe nenin 23 të KPK-ës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.