17 mjekë kërkuan dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale brenda këtij viti, dokument ky që u duhet si dëshmi për punësim në vendet perëndimore. Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, çdo vit rreth 170 mjekë largohen nga vendi. Kjo ikje sipas njohësve të shëndetësisë, në të ardhmen rrezikon të sjellë mungesë të shërbimeve shëndetësore.
Edhe pse studimet në fushën e mjekësisë i filloi në Kosovë, Lon Karrica, tash e 30 vjet, ushtron profesionin e mjekut në Gjermani.
Ai thotë se janë sërë arsyesh që e shtynë atë dhe shumë kolegë të tij, që të marrin këtë vendim.
“Është mjerim për Kosovën që deri më tash nuk ka sigurime shëndetësore ku mjekët dhe pacientët do të ishin të trajtu si në klinikën shtetërore poashtu edhe private, për këtë arsye mjekët vijnë këtu për jetë më të mirë, unë njoh shumë njerëz që në Kosovë ndoshta lekë kanë marrë më shumë mirëpo pa sigurime shëndetësore për shkak të ardhmërisë së familjes kanë ardhë këtu për një karrierë të bujshme për shkak se aparatura mjekësore ka mjaft dhe përvojë mundet me bo sa të don”, tha ai.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës edhe në këtë fillim ka pasur kërkesa për certifikatën etiko-profesionale, dokument ky që kërkohet si dëshmi për punësim në vendet perëndimore.
“Nga Janari i vitit 2024 e deri më sot, janë lëshuar 17 Çertifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale (dokument ky që shërben për punësim jashtë vendit), ndërsa në vitin 2023 janë lëshuar gjithsej 167 Çertifikata mbi të kaluarën Etike dhe Profesionale”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve.
Ikja e personelit shëndetësor, mund të dëmtojë ndjeshëm funksionimin e sistemit shëndetësor, thotë për rtv21 njohësi i fushës, Fitim Havolli.
“Realisht kjo dukuri është jashtëzakonisht e keqe për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi, sidomos për institucionet shëndetësore të cilat në një periudhë jo të largët vërtetë do të kenë jashtëzakonisht mungesa të mëdha të profesionistëve shëndetësor duke marrë parasysh këto mundësi që ata i kanë tash në shtetet e BE-së dhe në vendin tonë nuk është bërë mjaftueshëm edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që kanë qenë nga organizata të ndryshme për ruajtjen e këtij komuniteti”, tha ai
Një problem në vete është edhe numri i madh i mjekëve të paangazhuar në profesion. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, në Kosovë janë mbi 500 mjekë të pa punë.