KOSOVËLAJME

Policia hap rast për nxitje të urrejtjes pas grafiteve nacionaliste në veri

Grafite të reja, u panë në Mitrovicën Veriore të dielën.

Kjo pasi edhe një herë, në muret e ndërtesave dikush la mbishkrime nacionaliste serbe.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

Në to, me ngjyrat e flamurit serb, u shkrua “kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”

E poshtë këtij shkrimi, u la edhe firma e autorit.

Autorët e këtyre grafiteve të fundit në Mitrovicën Veriore, dyshohet të jenë, organizata tashmë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohur si “Brigada e Veriut”

Në lidhje me këtë, në Policinë e Kosovës, thonë se është hapur rasti për nxitje të urrejtjes.

“Në lidhje me grafitet që janë bërë në komunat e Veriut të Kosovës. Policia e Kosovës ka hapur rast për nxitje të urrejtjes. Nuk kemi të dyshuar e as të arrestuar”, ka thënë Veton Elshani.

Por, njohësit e sigurisë në këtë rajon, thonë se e gjitha kjo është vetëm një tentim që veriu të mbahet nën tensione.

“Kjo që i keni parë, këto grafite ju dhe ne si qytetarë neper lajme, këto kanë qenë edhe më përpara. Mirëpo, pyetja tash shtrohet kështu; ku janë Brigada e Veriut, grupi terrorist dhe mbrojtja civile? Ata nuk janë më në Republikën e Kosovës dhe nëse lajmërohen, ata do të arrestohen”, thotë Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.

Ai vlerëson se qytetarët serbë në veriun e Kosovës, kanë filluar të vetëdijesohen.

“Është tentim i pasuksesshëm dhe fakti pas nuk kanë sukses është vetëdijesimi matanë lumit Ibër është shumë i madh, ku qytetarët e Republikës së Kosovës të komunitetit serb dhe të tjerët, i kanë regjistruar të gjitha targat e automjeteve (në RKS) po e paguajnë edhe rrymën, edhe ujin, dhe të gjitha shërbimet e tjera”

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 qershor të vitit të kaluar, organizatën “Brigada e Veriut” dhe atë të “Mbrojta Civile” i shpalli organizata terroriste./teve1