I dyshuari për vrasjen e gruas në Pejë para tre vjetësh ishte dënuar për dhunë në familje

Një grua është vrarë të martën në Pejë, e vrasjen dyshohet se e ka kryer bashkëshorti i saj Edmond Lajqi.
Sipas Klan Kosovës ai kishte qenë i dënuar për dhunë në familje në vitin 2021.
Sipas këtij mediumi ai ishte dënuar me 400 euro.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është në pritje për ta marrë trupin e viktimës, teksa i dyshuari tashmë është arrestuar.
“Vrasja ka ndodhë në qendër të Pejës në banesë. I dyshuari është arrestuar dhe është konfiskuar arma e zjarrit”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë Shkodran Nikçi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante dhe janë duke u kryer hetimet fillestare.
“Në vendngjarjes jemi. Prokurori kujdestar, unë zëdhënësi njësitet policore të forenzikës. Po kryhen hetimet fillestare mirëpo mund te konfirmoj që burri e ka vrarë gruan. Për informata te tjera do t’iu informojmë”, ka thënë për Dukagjinin kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj.
I dyshuari për vrasjen e gruas tashmë ndodhet në objektet e Stacionit Policor në Pejë.
“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën “Bill Clinton” në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës ( femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet në objektet e Stacionit Policor në Pejë”, ka thënë për Dukagjinin, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.