Hasani: Pas shamisë do të kërkojnë të mësojmë Kuran, shfuqizimi i udhëzimit administrativ jokushtetues

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, në një intervistë e ka trajtuar me shqetësim fushatën që po bëhet në rrjetet sociale për futjen e shamisë në shkolla. Ai thotë se ata që po japin një mendim ndryshe po linçohen e poshtërohen publikisht. Sipas Hasanit, pas shamisë që po arsyetohet me “mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve” do të vijë kërkesa për mësim të Kuranit që “do të arsyetohet me të drejtën për mësimin e fesë, versionit më radikal të Islamit”. Hasani ka kritikuar ashpër Kurtin që dha indikacione se mund ta lejojë përdorimin e shamisë për vajzat e moshës mbi 16 vjeçe, duke thënë se Kryeministri nuk mund të caktojë moshën e pjekurisë, as profilin psikologjik të personave të mitur. Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka përmendur rastin kur këtij institucioni i ishte kërkuar të “flasë” për shaminë – përfundimi ishte se bartja e shamisë nëpër shkolla parauniversitare publike bie ndesh me Kushtetutën. I tillë, antikushtetues, sipas Hasanit është edhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ nëse ndodh.
Gazeta Express: Ka nisur një debat në rrjetet sociale për dhe kundër shamisë në shkolla. Qeverisë Kurti po i kërkohet të marrë një vendim që lejon këtë simbol fetar në shkollat laike. Sipas jush çfarë duhet të bëjë Kryeministri?
E.Hasani: Nuk mendoj së këtu bëhet fjalë për debat, por për një fushatë krejtësisht brutale, e orientuar kah frikësimi dhe dekurajimi i mendimit tjetër, linçimi i njerëzve që nuk mendojnë sikur ata që i prijnë kësaj fushate, deri në terrorizim dhe poshtërim publik të njerëzve të ndershëm dhe familjeve të tyre. Kjo logjikë është e papranueshme dhe duhet të evidentohet qartë.








