Ferit Idrizi dhe Drejtoria e Arsimit po akuzohen për punësimin e gruas së Drejtorit të Inspeksionit, Bujar Pllanës

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe Drejtoria e Arsimit në komunën e Vushtrrisë, po akuzohen për nepotizëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Mitropol.
Sipas një njoftimi të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje – qendra Vushtrri, Drejtoria e Arsimit përmes shkeljeve flagrante ka punësuar si mësimdhënese të gjeografisë bashkëshorten e drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Vushtrrisë, Bujar Pllana.
“Në konkursin publik me Nr. 1017/23 që qëllimisht dhe me paramendim gjatë gjithë procesit i fshihej data e konkursit, komisioni i vlerësimit i përbër nga njerëz të partisë ka shpallur fituesin e konkursit bashkëshortën e drejtorit të Inspeksionit z.Bujar Pllana akoma pa përfunduar procesi i intervistimit dhe rekrutimit në përgjithësi bazuar në datat që evidentohen në vulet e protokollit”, thuhet në njoftim.
Tutje qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri tha se fituesi u shpallë 7 ditë para terminit të intervistimit me gojë, duke mposhtur konkurrencën edhe pse në konkurs kishte kandidatë me kualifikime më të larta.
Sipas tyre ky proces përpos nepotizmit përfshin edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Të dashur qytetarë këto shkelje janë të paprecedent dhe flagrante dhe rast eklatant për prokurorinë që të fillojë hetimet që sot”, thuhet më tej në njoftim.








