Reportazh nga Banjska: Dy muaj pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

Mëngjesin e 24 shtatorit të këtij viti, Kosovës iu shtua edhe një hero.

Në fotografitë e paraqitura më lartë, janë pozicionet në të cilat kanë qenë të vendosura minahedhësi dhe gulinovi, prej ku u bë sulmi ndaj Policisë së Kosovës. Sulm ky i bërë nga një grup i armatosur serb, që sipas Policisë së Kosovës u bë me qëllim të aneksimit të veriut.
Në drejtim të Policisë së Kosovës u bënë sulme direkte me raketahedhës nga pozicionet afër Manastirit. Vendosjen e mjeteve të tilla pjesëtarët e sulmit e kishin bërë edhe mbi varrezat aty pranë.

Në territorin përreth Manastirit, pjesëtarët e ‘mirëtrajnuar’ të sulmit ishin siguruar që të bënin edhe hapjen e gropave për gjendje lufte, të ashtuquajturat “istikame”.

Përballja e Policisë së Kosovës me grupin serb të mirëorganizuar i cili përbëhej nga më shumë se 30 persona, vazhdoi pothuajse gjatë tërë ditës së 24 shtatorit.
Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in arritën të lokalizojnë vendndodhjen e përgjegjësve për sulmin terrorist. Pjesëtarët e grupit kriminal ishin vendosur në Manastirin e Banjskës dhe në zonën përreth tij.
Informacioni i tillë u konfirmua edhe nga Dioqeza Rashkë-Prizren të cilët thanë se një grup personash, të maskuar e të armatosur, kanë sulmuar manastirin e Banjskës.
Disa orë pas ballafaqimit, nga Policia e Kosovës u kërkua që grupi terrorist të dorëzohej por duke qenë se kërkesa e tillë nuk po përfillej, Njësia Speciale e Kosovës u fut brenda Manastirit të Banjskës. Me të kuptuar këtë, grupi terrorist kishte ikur nëpër male, teksa brenda Manastirit ishte gjetur sasi e madhe e armatimit.

Siç njoftoi kryeministri i vendit, Albin Kurti, armatimi që u gjet në Banjskë është i prodhuar në Serbi dhe kap vlerën e 5 milion eurove.
Nga gjuajtjet me armë zjarri gjatë përballjes së Policisë së Kosovës me grupin e armatosur serb, të vrarë kishin përfunduar tre sulmues e gjashtë të tjerë të cilët dyshohet të kenë qenë pjesë e sulmit, janë arrestuar. Tre prej tyre gjenden ende në paraburgim.

Vetëm dy ditë pas sulmit, me fakte të patjetërsueshme u zbulua e dëshmua se përgjegjës i sulmit është Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqi.
Radoiçiqi pohoi se gjithçka ka qenë organizim i tij, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndihmë nga shteti Serb. Tetë ditë pas sulmit, Radojiçiqi u arrestua nga autoritetet shtetërore të Serbisë, ku iu caktua masa e ndalimit për 48 orë. Megjithëse iu caktua masa e ndalimit, Radoiçiq u lirua menjëherë të nesërmen.
Milan Radoiçiqi, i shpalluri non-grata nga SHBA dhe Britania e madhe, ai që konsiderohet se shkaktoi “Rrezikun më të madh në Kosovë, që nga paslufta” edhe pavarësisht dëshmive dhe vetpohimit për organizim të sulmit terrorist në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë.
Radoiçiqit i është ndaluar hyrja në shtetin e Kosovës si dhe të gjitha pronat e evidentuar si të tijat në Kosovë, i janë konfiskuar.

Pas sulmit që ndodhi në Banjskë, vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinja dhe Bërnjaku u mbyllën për një kohë, teksa ajo zonë ishte e qasshme vetëm për zyrtarët e Policisë së Kosovës. Gjatë kryerjes së hetimeve, Policia e Kosovës shpërndau 100 pako ushqimore për banorët e fshatit Banjskë në Zveçan.
Megjithëse për të ndikuar në destabilizimin e dialogut Kosovë – Serbi u shkaktuan tensione e sulme të ndryshme, ky i fundit ishte ‘paralajmëruar’.
Deputetja britaneze, Alicia Kearns kishte ngritur alarmim për agresionin serb të 24 shtatorit qysh në korrik, kur kishte thënë se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë përmes autoambulancave dhe po shkarkohen në kishat ortodokse.
Qeveria e Kosovës ka hartuar një raport preliminar hetimor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, sipas së cilit thuhet se qëllimi i sulmit ishte nxitja e një konflikti dhe përshkallëzimi më të gjerë duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturat shtetërore të Kosovës, përfshirë edhe humbjen e jetëve.
Në raport poashtu tregohet se synimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me këtë aksion ishte ta fuste ushtrinë serbe në Kosovë.
Edhe pse disa herë u cilësua si sulm terrorist dhe u dënua ashpër nga ndërkombëtarët, në raportin e Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023 thuhet se sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është kriza më e rëndë që ka ndodhur në periudhën e raportimit për dialogun Kosovë-Serbi, por nuk iu janë referuar si ‘terrorist’ sulmit në Banjskë.
Muajin e kaluar në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës, përmes së cilave kërkohet që të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë. Poashtu, i është bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës që të marrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë.
Përndryshe, kjo është hera e dytë që gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në veri të vendit vritet një pjesëtarë i Policisë së Kosovës nga struktura kriminale serb. Në korrik të 2011-tës, Enver Zymeri u qëllua nga Strukturat Paralele Ekstremiste Serbe në Zubin Potok, afër pikës kufitare në Bërnjak./Mitropol/







