
Policia e Kosovës ka raportuar dy raste të armëmbajtjes pa leje që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në Mitrovicë dhe Vushtrri, ku janë ndërmarrë veprime ligjore ndaj të dyshuarve, shkruan Mitropol.
Në fshatin Bajgorë, më 13 shtator 2025 rreth orës 23:09, dy burra janë raportuar se kishin shtënë me armë zjarri.
Pas hetimeve intensive, të dy të dyshuarit janë arrestuar më 16 shtator, dhe nga njëri prej tyre është sekuestruar një pistoletë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, në fshatin Akrashticë, Vushtrri, më 16 shtator rreth orës 18:30, një burrë është arrestuar në bazë të postimeve të publikuara në rrjetet sociale. Nga i dyshuari është konfiskuar një armë me shtatë fishekë. Edhe ky i dyshuar është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti mbetet nën hetim të mëtejshëm.
Policia apelon tek qytetarët që të mos posedojnë armë pa leje dhe të njoftojnë çdo rast të dyshimtë, duke theksuar se veprimet ligjore do të ndiqen rreptësisht për të garantuar sigurinë e komunitetit.








