Rohde i reagon Listës Serbe: Shëndetësia e arsimi brenda sistemit kosovar, nën patronazh të Asociacionit

Ish-ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka hedhur poshtë pretendimet e Listës Serbe se integrimi i institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo e ndonjë marrëveshjeje.
“Dua të theksoj se kjo thjeshtë s’është e vërtetë”, ka shkruar ai në platformën Bluesky.
Sipas tij, integrimi parashihet me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe me Marrëveshjen e Ohrit.
“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013, përfshinte gjashtë pika që lidheshin me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa marrëveshja e fundit e Ohrit mbi udhërrëfyesin e implementimit të marrëveshjes së nënshkruar më 2013, përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës, nën patronazhin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”, ka shkruar Rohde.
Ai ka shtuar se interpretimet e tilla nga Lista Serbe rrisin tensionet në periudhën para zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Prandaj do të bëja ftesë që të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare për të cilat mund të thuhet edhe qëllimkëqija, e që mund të dëmtojnë proceset demokratike siç janë zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë, të premten para Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut u mbajt një protestë e punëtorëve shëndetësorë, pas bastisjes që kreu Policia një natë më herët mbi bazën e një sinjalizimi për armë.
Drejtori i kësaj qendre, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës, duke shtuar se “kjo nuk është paraparë në asnjë marrëveshje”.








