Këta janë 4 të arrestuarit nga familja Gërbeshi në Vushtrri për armëmbajtje, kanosje dhe lëndim të rëndë trupor

Një aksion i gjerë policor është zhvilluar sot në fshatin Ropicë të Komunës së Vushtrrisë.
Në vazhdën e hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda/Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, më 21 shtator 2025 është zbatuar urdhëresa e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri, për kontrollin e shtëpive dhe lokaleve të të dyshuarve.
Operacioni është zhvilluar në tri lokacione, dy shtëpi në fshatin Ropicë dhe një biznes në qytetin e Vushtrrisë, ku janë arrestuar këta persona: 1. Avdullah Gerbeshi rreth 62-vjeçar, 2. Rrahman Gerbeshi rreth 44-vjeçar 3. Emin Gerbeshi rreth 40-vjeçar, 4. Kadri Gerbeshi rreth 51-vjeçar. Sipas Prokurorisë, të njëjtit dyshohen për veprat penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Detyrim, Kanosje, Lëndim i rëndë trupor.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se tre prej të dyshuarve janë intervistuar në prani të avokatit dhe pas intervistës, me vendim të prokurorit të çështjes, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa Kadri Gerbeshi, kishte urdhër arresti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe pas arrestimit është dorëzuar njësive policore të Stacionit Policor Vushtrri.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre janë iniciuar procedurat përkatëse penale, ndërsa hetimet në lidhje me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.