Zyrtari policor shkrepi një plumb aksidentalisht gjatë kontrollit të një taksie në veri
Lideri i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, publikoi një transmetim të drejtpërdrejtë ku pretendoi se një pjesëtar i Policisë së Kosovës shkrepi një plumb në ajër gjatë një kontrolli të një taksie, shkruan “Mitropol”.
Sipas pretendimeve të tij, incidenti ndodhi pranë Hotelit “Nr. 3” në komunën e Zveçanit.
Shoferi i taksisë, Urosh Dimitrijeviq, pretendon se në automjetin e tij kur ndodhi rasti ndodhej edhe një pasagjer.
Edhe shoferi por edhe pasagjeri raportohen se nuk pësuan asnjë lëndim apo dëm nga rasti.
“Hapa bagazhin, polici më tha ‘dil jashtë’, kontrolloi brenda, mori dokumentet për t’i kontrolluar, më tha të vendosja dorën mbi bagazh dhe gjithçka që dëgjova ishte një ‘pap’, menjëherë polici mi ktheu dokumentat. Nuk e di nëse ishte aksident apo donte të më trembte”, tha Dimitrijeviq.
Sipas tij, pasi ndodhi incidenti, polici ia ktheu dokumentet dhe i tha të largohej.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Mitropol se rasti ka të bëjë me një shkrepje aksidentale e një plumbi.
Ai konfirmoi sërish se nuk kishte të lënduar.
Një hetim për rastin është duke u zhvilluar.